DJ Bujaka është shpallur finalisti i dytë i edicionit të tretë të Ferma VIP, duke siguruar një vend në finalen e madhe pas televotimit të publikut.
Ai ishte në garë përballë Vis Pupës dhe Ilir Shaqirit, në një televotim që mbajti në ankth fermerët dhe ndjekësit e spektaklit deri në momentin e fundit.
Mbështetja e publikut rezultoi vendimtare, duke i dhënë Bujakës mundësinë që t’i bashkohet Mozës në finalen e madhe të këtij sezoni.
Menjëherë pas shpalljes së rezultatit, DJ Bujaka nuk i fshehu emocionet dhe falënderoi të gjithë ata që e votuan dhe e mbështetën gjatë rrugëtimit të tij në fermë.
“Faleminderit shumë popullit të Shqipërisë dhe të Kosovës”, u shpreh ai mes emocionesh.
Edhe Moza reagoi pas shpalljes së finalistit të dytë, duke treguar se rezultati e kishte surprizuar.
“Kisha frikë, nuk e prisja sepse dy konkurrentët e tjerë kanë ndërtuar prej vitesh një lidhje shumë të fortë me publikun. Kisha emocione dhe pasiguri, por jam shumë e lumtur”, tha ajo.
Gjatë qëndrimit në fermë, Moza dhe Bujaka kanë krijuar një raport të afërt, ndaj kualifikimi i tij në finale u prit me gëzim nga ana e saj.
Finalja e madhe e Ferma VIP 3 do të zhvillohet më 15 qershor, ku në garë do të jenë gjithsej pesë finalistë. Në orët në vijim pritet të zbulohen edhe tre emrat e tjerë që do të sigurojnë një vend në natën finale.
Ndërkohë, mbrëmja pritet të sjellë edhe eliminime të tjera, pasi dy prej fermerëve do të largohen nga gara para se të kompletohet lista e finalistëve.



