Situata e tensionuar e ndodhur në Ferma VIP, ku Fabjola Elezaj përdori gjuhë fyese ndaj moderatores Arbana Osmani, ka sjellë reagime të shumta edhe nga figura të njohura publike.
Së fundmi, aktori Rezart Veleshnja ka reaguar publikisht në rrjetet sociale, duke dalë hapur në mbështetje të moderatores dhe duke kritikuar ashpër sjelljen e banores.
Në një postim në Instagram, ai vlerësoi figurën e Arbana Osmani si profesioniste, nënë dhe bashkëshorte, ndërsa shprehu shqetësimin e tij për praninë e asaj që e cilësoi si “rini toksike” pranë figurave të njohura të artit dhe kulturës që janë pjesë e formatit.
Në reagimin e tij, të shoqëruar me një foto të moderatores, Rezart Veleshnja shkroi se njerëz si Mimoza Ahmeti, Romir Zalla, Vis Pupa dhe Soni Malaj përfaqësojnë figura me vlera, ndërsa shtoi se sjellje të tilla nuk duhet të promovohen në televizione apo formate reality.
Ai gjithashtu u shpreh me tone vlerësuese për Arbana Osmani, duke theksuar se e njeh prej vitesh dhe se e konsideron një nga figurat më profesionale dhe inteligjente me të cilat ka bashkëpunuar.
Postimi i tij ka qarkulluar me shpejtësi në rrjet, duke ndezur edhe më shumë debatet rreth situatës së krijuar në program dhe gjuhës së përdorur gjatë transmetimeve live.

Postimi i plotë:
“Unë e kuptoj dëshirën e mirë për të integruar një pjesë të kësaj rinie toksike dhe të sëmurë pranë njerëzve intelektualë si Moza Ahmeti, Romir Zalla, Vis Pupa, Soni Malaj, por këto lloj mostrash nuk duhen qasur as në derën e tv e jo më t’i fusësh në një reality! Arbana është një nga (gocat) e tashme zonjat që unë e njoh që në kohën e kllapave që vendosa më sipër! Një gocë, zonjë, nënë, bashkëshorte e shkëlqyer që u mundua të integronte llumin dhe ta pastronte por mori si shkëmbim atë fjalë që është miliona vite dritë larg figurës së saj! E frikshme se çfarë po na dëgjojnë veshët! Arbana unë të njoh me vite dhe jam krenar që kam punuar në të njëjtin vend me ty dhe vështirë të kemi pranë në këto kohëra njerëz me nivel dhe inteligjencë si ty! Allahu e mëshiroftë atë “vajzën”!”.



