“Ia kam lënë lojës gjithçka që ka ndodhur…”/Miri për ish-banorët: I kanë marrë personale! Jemi përdorur nga pak dhe i kemi përdorur…
I ftuar në emisionin “Pardon My French” me Jonida Aliçkollin, ka qenë finalisti i edicionit të pestë të “Big Brother VIP”, Armir Shahini, i njohur për publikun si Miri i West Side Family. Ai ka ndarë më shumë detaje rreth eksperiencës së tij në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, duke folur hapur për rrugëtimin, marrëdhëniet dhe dinamikat e lojës gjatë qëndrimit të tij në format.
Tashmë që gjithçka ka përfunduar, si qëndron raporti i tij me ish-banorët? A ka pasur ndryshime në qasjen e tyre jashtë shtëpisë?
Sipas Mirit, qëndrimi i tij ka mbetur i njëjtë si brenda ashtu edhe jashtë shtëpisë. Ai thekson se me ata persona me të cilët ka pasur marrëdhënie të mira gjatë lojës, vazhdon të ruajë të njëjtin raport edhe pas përfundimit të saj. Ndërsa me ata që nuk ka pasur një raport të mirë, situata mbetet e pandryshuar, pasi, sipas tij, disa prej banorëve i kanë marrë situatat shumë personale.
“Unë e kam të njëjtën qasje si brenda ashtu edhe jashtë. Me ata që kam pasur marrëdhënie të mirë, vazhdoj të shkoj shumë mirë, ndërsa me të tjerët është e natyrshme që të mos ketë afrimitet. Problemi është se disa banorë i kanë marrë gjërat shumë personale. Për mua, gjithçka që ka ndodhur atje i përket lojës dhe aty mbetet. Jeta jashtë vazhdon në një tjetër dimension, në dimensionin real. Nuk mund të përpiqem të krijoj marrëdhënie me dikë që nuk ka dëshirë për këtë, secili duhet ta kuptojë vetë këtë pjesë,” u shpreh ai.
Gjatë intervistës, Jonida e pyeti Mirin gjithashtu se në cilat raste ai është ndjerë i përdorur nga të tjerët dhe nëse edhe ai ka përdorur banorë të tjerë si pjesë e strategjisë së lojës.
Miri u shpreh se në një format të tillë është e pashmangshme që të gjithë të përfshihen në këto dinamika. Sipas tij, çdo banor, në një mënyrë apo tjetër, përdor dhe përdoret nga të tjerët, për shkak të natyrës së lojës dhe situatave që krijohen brenda shtëpisë.
“Në atë lojë, në një farë mënyre, të gjithë kemi përdorur njëri-tjetrin dhe njëkohësisht jemi përdorur. Kjo vjen si pasojë e vetë dinamikës së formatit. Nuk mund të luash i izoluar, nuk mund të qëndrosh vetëm gjatë gjithë kohës, ndaj është e pashmangshme që të krijosh lidhje dhe ndërveprime. Në këtë kuptim, edhe unë kam përdorur, por edhe jam përdorur,” u shpreh ai.
I pyetur nëse kishte qenë e mundur që ai të përballej i vetëm me të gjithë shtëpinë, Miri theksoi se një gjë e tillë ishte tepër e vështirë, sidomos në këtë edicion.
Ai e krahasoi këtë sezon me edicionet e mëparshme, duke nënvizuar se dinamika e këtij “Big Brother”-i e bënte pothuajse të pamundur që një banor të qëndronte i vetëm pa u përfshirë në situata apo aleanca.
“Ishte shumë e vështirë të qëndroje vetëm, sepse ky edicion kishte një dinamikë ndryshe. Shtëpia vetë të poziciononte në situata dhe nuk të linte të qëndroje i shkëputur. Pavarësisht dëshirës, do përfshiheshe patjetër. Në këtë rast, është më mirë të jesh pjesë e lojës në mënyrë të qartë dhe të sinqertë, sesa të shtirësh sikur je i vetëm, ndërkohë që në realitet krijon aleanca të fshehta,” përfundoi ai.



