Këngëtarja e njohur shqiptare, Nora Istrefi, ka ndarë me ndjekësit e saj një mesazh të fuqishëm revolte dhe sensibilizimi, duke dënuar ashpër rastin e fundit të dhunës ndaj një të miture që ka tronditur opinionin publik.
Përmes një reagimi në rrjetet e saj sociale, artistja nuk i ka fshehur emocionet dhe indinjatën e thellë për ngjarjen, duke u bërë zëri i shumë qytetarëve që kërkojnë drejtësi të menjëhershme.
”Asnjë fëmijë nuk duhet të përjetojë tmerre të tilla. Është koha që institucionet të veprojnë me dorë të hekurt. Dhunuesit duhet ta marrin dënimin e merituar pa asnjë kompromis!” – ka shkruar ajo.
Nora, e cila shpesh shfrytëzon platformën e saj me miliona ndjekës për të ngritur zërin mbi kauza sociale, ka bërë thirrje për më shumë mbrojtje dhe siguri për fëmijët, si dhe për një reagim më të ashpër institucional ndaj personave që kryejnë akte të tilla makabre.
Reagimi i këngëtares ka gjetur mbështetje të madhe nga fansat dhe kolegët e saj të estradës, të cilët po ashtu kanë bashkuar zërat për të kërkuar “drejtësi maksimale” për rastin në fjalë.



