Familjarët e Mozës reagojnë ashpër ndaj trajtimit në “Ferma VIP”: “Kërkojmë respekt dhe masa të menjëhershme”
Si familjarë, ndiejmë përgjegjësinë të reagojmë ndaj sjelljeve dhe gjuhës fyese që disa nga fermerët po i drejtojnë Mozës sonë në Ferma VIP.
Jemi thellësisht të shqetësuar dhe të zhgënjyer nga mënyra se si po trajtohet Mimoza Ahmeti – një nënë dhe një grua në një moshë të respektuar, e cila meriton dinjitet, mirësjellje dhe respekt. Fjalori i përdorur ndaj saj është i papërshtatshëm, banal dhe ofendues, dhe fatkeqësisht këto deklarata tashmë janë përhapur gjerësisht në rrjetet sociale.
Na duket e papranueshme që produksioni, në mënyrë të përsëritur, po i injoron këto sjellje dhe nuk po ndërmerr hapa konkretë për t’i ndalur ato. Një format televiziv humbet vlerën dhe besueshmërinë kur lejon që imazhi dhe dinjiteti i një personi të cënohen në këtë mënyrë.
Gjithashtu, gjatë spektakleve “Prime”, kemi vënë re me shqetësim se sa herë që Mimoza Ahmeti kërkon të shprehet, shpesh nuk i jepet hapësira e nevojshme për të përfunduar mendimin e saj.
Përmes këtij reagimi, kërkojmë trajtim të barabartë dhe respekt të plotë për Mozën. Kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të gjuhës fyese dhe marrjen e masave konkrete, në mënyrë që të mbrohet dinjiteti i saj dhe integriteti i këtij programi.



