Largimi i Gresa nga Ferma VIP vazhdon të jetë një nga temat më të komentuara në rrjet, sidomos pas zhvillimeve të fundit që kanë ngritur dyshime për raportin e saj me produksionin.
Gjatë Prime-it të fundit, Gresa vendosi të ndërpresë rrugëtimin në format, duke kërkuar vetë largimin nga shtëpia. Në deklaratën e saj, ajo tregoi se kishte ndjerë se po humbiste energjinë pozitive që e karakterizon dhe se situatat e krijuara brenda fermës po ndikonin negativisht tek ajo.
Ajo përmendi edhe debatet e vazhdueshme me Mimoza Ahmeti, duke u shprehur se përplasjet e kishin shtyrë të nxirrte një anë të vetes që, sipas saj, nuk e përfaqëson jashtë spektaklit.
Në momentin e largimit nga studioja, ish-banorja u shfaq e buzëqeshur dhe falënderuese për eksperiencën e saj në reality show, duke lënë përshtypjen se gjithçka ishte mbyllur në mënyrë paqësore.
Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë krijuar një tjetër panoramë. Ditën e sotme, Gresa mungoi në studion e Ferma VIP Club, duke thyer praktikën e zakonshme të ish-banorëve të formatit.
Sipas raportimeve, stafi i programit është përpjekur të kontaktojë me të për një pjesëmarrje në emision, por përgjigjja e marrë nga menaxheri i saj ka qenë e prerë.
Ai mësohet të ketë deklaruar se Gresa “i ka mbyllur një herë e mirë punët me Fermën”, duke lënë të kuptohet se nuk dëshiron më të jetë pjesë e asnjë daljeje apo komunikimi që lidhet me formatin.
Kjo situatë ka shtuar aludimet për një pakënaqësi të thellë pas prapaskenave, ndërsa ndjekësit po komentojnë gjerësisht raportin mes ish-banores dhe produksionit pas largimit të saj nga spektakli.



